PE me sytë tek 25 qershori, Kukan: Do vij si vëzhgues! Pres të bëhen zgjedhje të lira

E fundit

Parlamenti Europian do të dërgojë një delegacion vëzhguesish për zgjedhjet e 25 qershorit.
Këtë e konfirmoi raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian Eduard Kukan.

Në një intervistë ekskluzive për ABC News, Kukan flet edhe për marrëveshjen Rama – Basha, që e vlerëson si tepër pozitive dhe garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I gjithë komuniteti Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Bashkimin Europian ishte rreptësisht kundër mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e përgjithshme. Tani opozita do të marrë pjesë në zgjedhje. A u ndërmor hapi i duhur?

Eduard Kukan, Raportues për Shqipërinë: Ky është një lajm shumë i mirë që vjen nga Shqipëria. ne ishim të gjithë të shqetësuar se si do zhvilloheshin zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës. Fatmirësisht, u bë e mundur për liderët e të dyja palëve të arrinin një marrëveshje, që mendoj që është shumë pozitive edhe për qeverinë edhe për opozitën. Tani pritshmëria e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike duket realiste, pasi do të ketë marrëveshje midis partive politike se si të organizohen zgjedhjet, opozita po merr pjesë në mënyrë aktive në përgatitjen e tyre përmes përfaqësueseve të saj në qeveri, ashtu edhe përmes kryetarit të komisionit qëndror të zgjedhjeve. Po pres të shkoj në Shqipëri si vëzhgues i Parlamentit Europian dhe shpresoj të shoh që zgjedhjet të jenë demokratike pas një periudhe të gjatë tensioni midis aktorëve politikë,. Shqipëria pritet të marrë datën e hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe gjërat do të shkojnë përpara pozitivisht në rrugën e saj të integrimit europian.

Ju ishit ai që deklaruat që do t’i kishit mbyllur Ramën, Bashën dhe Metën në një zyrë deri në arritjen e një marrëveshjeje. Tani marrëveshja ekziston, por ajo ka shkaktuar shumë përçarje mbi atë, se cili është fituesi dhe humbësi i saj. A mund të themi, që është demokracia që fitoi në këtë rast, duke qenë se në Shqipëri dukej e pamendueshme një marrëveshje e tillë midis të majtës dhe të djathtës në një periudhë të tillë ngërçi politik?

Eduard Kukan, Raportues për Shqipërinë: Fituesit e kësaj marrëveshjeje janë shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo është ajo që ne kemi përsëritur vazhdimisht. Politikanët duhet të mendojnë së pari për interesat e qytetarëve, për vendin dhe për të ardhmen e tij. Ky moment erdhi. Ne jemi të gjithë tê kënaqur, kêshtu që ju lutem, mos e prishni”.

Kur mbërrin delegacioni i Parlamentit Europian në Shqipëri?

Eduard Kukan, Raportues për Shqipërinë: Delegacioni po plotësohet me emërimin e përfaqësuesve të grupeve të ndryshme politke. Për partinë popullore europiane, do të jem unë dhe Cristian Dan Preda. Ne do të zhvillojmë këto ditë edhe një takim për misionin e vëzhgimit që do të zhvillojmë në Shqipëri dhe do të mbërrijmë në Tiranë 4 ditë para zgjedhjeve”.

Pas takimit me 6 kryeministrat e rajonit me Federica Mogherinin, burime të servisit të jashtmë na komunikuan që nuk varet prej Mogherinit hapja e negociatave, por nga shtetet anëtare. Por ju e shihi me optimizëm këtë pikë. Mendoni se është e realizueshme në fund të këtij viti apo vitin e ardhshëm?

Eduard Kukan, Raportues për Shqipërinë: Eshtë shumë delikate dhe e rrezikshme që të jesh profet në rastin e Shqipërisë në fakt. Eshtë e vëtetë që proçedura është që Komisioni Europian propozon, Parlamenti mbështet dhe Këshilli i ministrave vendos. Pra, janë shtetet anëtare që vendosin. Ja pse duhet të keni më shumë miqë në gjirin e shteteve anëtare. Por ajo që po dëgjoj gjithnjë e më shumë, është që ka shtete anëtare që janë gati të mbështesin, gjë që më bën optimishta aktualisht. Por le të presim zgjedhjet dhe pastaj mund të jemi optimistë ose realistë.

Leave a Reply