Templates by BIGtheme NET

Bilall Sherifi, zëri i shqiptarëve të Maqedonisë në Parlamentin e Kosovës, pesëfish më shumë vota se në vitin 2014

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në vitin 2014, partia e cila mezi e kaloi pragun zgjedhor, kësaj radhe duket që ka ngritje më të madhe, dhe rrjedhimisht numër më të madh të deputetëve.

Në legjislaturën e pestë kjo parti kishte vetëm gjashtë deputetë.

Kjo rritje shihet nëse krahasohen votat e të njëjtëve deputetë që ishin asokohe, dhe të cilët po ashtu kanë kandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili e themeloi këtë parti pasi u nda nga PDK-ja, në të cilën ishte bashkëthemelues. Ai mori mbi 26 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2014. Kurse në zgjedhjet e 11 qershorit ai mori rreth 30 mijë vota.

Haxhi Shala, i cili ka qenë deputet në legjislaturën që ishte deri më 10 maj të këtij viti, kur u rrëzua qeveria, dhe i cili po ashtu ka kandiduar edhe në këto zgjedhje.

Ai kishte marrë mbi 7 mijë vota në zgjedhjet e kaluara, kurse tash mori mbi 12 mijë vota, gjithmonë duke iu referuar rezultateve preliminare.

Rritje të numrit të votave ka edhe tashmë ish-deputeti i Nismës, Zafir Berisha. Nga 4600 vota sa i kishte në 2014, tash ka marrë mbi 11 mijë vota.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi doli të ketë rritje të madhe të votave. Mbi 2 mijë vota sa i kishte marrë asokohe, tash ka marrë mbi 11 mijë vota. Ai mund të konsiderohet si zëri i shqiptarëve të Maqedonisë në Parlamentin e Kosovës, sepse me prejardhje është nga Tetova, transmeton Gazeta Lajm.

Ish-deputeti tjetër i kësaj partie, Enver Hoti, mori mbi 9 mijë vota për dallim nga viti 2014 që kishte marrë mbi 3500 vota.

Tashmë ish-shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, mori rreth 6 mijë vota, kurse asokohe kishte marrë rreth 3700 vota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com