Templates by BIGtheme NET

‘BKR’ është një vetvete… e bukur

Sfilata e fundit e Blerina Kllokoqi Rugova, ishte pa dyshim një vepër arti.  Arti është një listë e gjerë veprimtarish njerëzore që krijojnë apo kryejnë punime vizuale, zanore, etj., që shprehin aftësitë imagjinative apo  teknike të një autori. E pikërisht sfilata ishte e tillë: me 50 veshjet për të cilat Blerina, një emër i njohur i modës jo thjesht në botën shqiptare, u bë art. Art vizual, art zanor, me të cilat u zbavit një publik i gjerë, i elitës kulturore, por dhe politike, sociale, të afarizmit të Kosovës, të Shqipërisë, por dhe miq të huaj. Muzika që shoqëronte shfaqjen e modeleve, kalimi nga muzika shqipe tek ajo e huaj, është në fakt reflektim i asaj çfarë janë veshjet e Blerinës: produkt autentik shqiptar, por i gatshëm të hyjë prapë në tregun botëror.

Sfilata e fundit e Blerinës, me elegancën e veshjeve, të prezantimit, të modeleve, ishte një vepër kulturore gjithashtu. Kultura është sjellja shoqërore, dhe normat që gjenden në një shoqëri njerëzore. Koleksioni i ri i Blerinës reflektoi saktësisht diçka tipike kosovare me rregullat e saj të veshjes, si shoqëri në zhvillim të vrullshëm, në emancipim të shpejtë. Ajo u quajt Koleksioni Dardania, një emër i madh, që vjen nga historia, emër i trojeve ku kanë banuar shqiptarët dhe ku sot banojnë edhe fqinjë të kombit tonë. Është një emër që e ndërlidh atë me vjehrrin e saj të shquar, Dr. Ibrahim Rugova, i cili nëpërmjet rijetësimit të emrit Dardani, donte të jepte në mënyrë përfundimtare lidhjen midis origjinës, ekzistencës dhe të ardhmes së popullit shqiptar të Kosovës. Valdrin Sahiti, stilisti i njohur që gjendej në këtë sfilatë që nuk dallonte me ato që zhvillohen kudo në Perëndim vlerësoi volumin e koleksionit, ngjyrat dhe materialet që janë pjesë e trendeve të reja, ndërsa sa i përket stilit, ajo gjithmonë mbetet në stilin e saj. Edhe organizimi ishte shumë i mirë, madje shumë ndryshe, por Blerina bën gjithmonë diçka ndryshe, ambienti i jashtëm shumë i mirë, edhe muzika dhe gjithçka tjetër më pëlqeu sonte”. Edhe Nora Istrefi, shoqe e Blerinës, këngëtare e njohur, vlerësoi atë se edhe me këtë sfilatë, Blerina tregoi që është vetëvetja.

Me përfshirjen e modeleve të vegjël të shoqatës Pema, Blerina bëri edhe një vepër të solidaritetit shoqëror, pse të ardhurat do të shkojnë për fëmijët me Sindromin Down. Arti dhe kultura mund të shërbejnë për solidaritet social.

Më në fund diçka për mjedisin e zgjedhur, Parkun Arbëria. Në përgjithësi sfilatat bëhen në mjedise të mbyllura për një numër të vogël shijuesish të këtij aktiviteti. Çdo mjedis më i madh duhet të ketë justifikim të madh përse zgjidhet, aq më tepër sfilata në natyrë të hapur. Italia, për shembull, me ambiente të antikitetit, të mesjetës, ofron shpesh skena të jashtëzakonshme defilimi siç është Piazza di Spagna me shkallët e veta dhe dekorin monumental. Zgjedhja e një parku ishte diçka e brishtë, diçka afër natyrës, që e ekzaltonte natyrën, aq më shumë nëpërmjet ndriçimit, që afronte trupin e femrës me dantellat si element kryesor, tek vetë natyra. Drita e zgjedhur ishte gjithashtu brenda të njëjtit koncept: luhatje dritash, por edhe gjysmë errësirë.

Parku me rruginat e veta ofroi mundësi për më shumë shijues të kësaj vepre artistike, sikush pa u gjendur ngjitur me njëri-tjetrin. E në një mjedis kaq të gjerë nuk mund të mungonin njerëzit e rëndësishëm: kur emrit të famshëm të një artisti si Blerina i mbivendoset një mbiemër i shquar si i Rugovës, një mbiemër si i Blerinës, artistes së madhe kosovare, atëherë audienca e madhe, cilësore është e pranishme me kënaqësi. Madje edhe mysafirë nga Shqipëria që e çmojnë Blerinën, aktiviteti më i fundit i së cilës ishin koleksioni për dasmën e Princit Lekë Zogu.

BKR, Blerina vjen nga Dardania, ekspozon në parkun Arbëria, por i takon gjithë globit, me universalitetin e veprës së vet. Artistike, kulturore dhe sociale. BKR është megjithatë vetëvetja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com