Nëna vari veten, 3 ëngjëjt i braktis edhe babai: Me mua po vuajnë për bukë

TE NDRYSHME

Deni, 5 vjeç, Jonela, 3 vjeçe dhe Rafaela 11-muajshe janë 3 fëmijët që pas humbjes së nënës, po braktisen edhe nga i ati i cili shprehet se nuk ka me se t’i ushqejë të vegjlit.

Drama familjare e familjes nga Tepelena nisi në gusht të vitit të kaluar kur Bledar dhe Elvana Nanaj iu refuzua azili ekonomik pas tre vitesh emigrimi në Bon të Gjermanisë.

31-vjeçarja, Elvana Nanaj kaloi në depresion dhe vari veten, pak pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e tretë, Rafaelën.

38-vjeçari, Bledar Nanaj u kthye në vendlindje bashkë me fëmijët e mitur dhe fillimisht kanë qenë të afërmit që e kanë ndihmuar. Vajzën e vogël, Rafaelën e mori në përkujdesje nusja e kushëririt të tij, Merita Nanaj.

Por kushtet e vështira ekonomike, kanë detyruar Bledarin t’i braktisë të tre fëmijët. 38-vjeçari i cili do t’i duhet të çojë në brefotrof Rafaelën, 11-muajshe shprehet mes lotësh se do duhet të lërë edhe dy të miturit e tjerë pasi po vuajnë për bukën e gojës.

“Jetojmë në mjerim dhe mungesa e ndihmës nga ana e shtetit është zero…Punë nuk ka, nuk di çfarë të bëj. Jam i detyruar t’i lë, me mua po vuajnë për bukën e gojës. Ime shoqe e dinte këtë gjë ndaj edhe i dha fund jetës. Ajo shpëtoi, ndërsa unë?!”, shton mes lotësh Bledari i dorëzuar tashmë”, është shprehur ai.

Burimi: Gazeta shqiptare