Templates by BIGtheme NET

Parashikimi i politologut Bardhyl Mahmuti doli i saktë

Ai deklaroi, se edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesat e partive politike shqiptare nuk e përjashton mundësinë që presidenti i Maqedonisë të mos ia jep mandatin për krijimin e qeverisë. Për lexuesit që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë këtë shkrim po e ribotojmë. Aq më tepër kur kemi konfirmimin e parashikimeve të autor.

 
Bardhyl Mahmuti
Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për ta formuar qeverinë, shumëkush mendonte se do t’i jepej mandati LSDM-së, si forcë e dytë parlamentare për nga numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit. Në prononcimet e mia lidhur me këtë çështje në një intervistë ekskluzive për gazetën “Epoka e re” unë kam shprehur skepticizëm sa i përket mundësisë për t’ia dhënë mandatin LSDM-së dhe nuk përjashtova as mundësinë që Gjorgje Ivanovi t’i jep një mandat të dytë VMRO-s.
Gjatë tërë ditës së djeshme Presidenti i Maqedonisë pati konsultime me shumicën e forcave politike parlamentare. Pas takimit me Presidentin e Maqedonisë, Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se kishte shkuar të merrte mandatin, por presidenti nuk ia dha. Nëse vërtetë ai ka besuar se Gjorgje Ivanovi do t’ia jepte mandatin atëherë Zoran Zaev bën publik naivitetin e vet. Për mendimin tim, “MOS-VENDIMI” i Gjorgje Ivanovit për t’i dhënë mandatin LSDM-së është VENDIM që t’i jepet VMRO-së një mandat i dytë për të bërë përpjekje që të sigurojë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë. Konstatimi i tillë del qartë nga deklarata e Ivanovit “se mandat për formimin e Qeverisë së re do të marrë partia ose koalicioni i cili do të më informoj dhe dëshmojë se ka siguruar shumicë në Parlament”. Prandaj, ky VENDIM i Ivanovit është kohë shtesë për Nikolla Gruevskin që të vazhdojë me përpjekjet për formimin e qeverisë.
Por, situata e krijuar nga kjo formë e vendimit të Gjorgje Ivanovit shtron dilema të shumta. Ajo që më së shumti shfaqet si preokupim ka të bëjë me çështjen nëse LSDM-ja do të mundet të sigurojë “mbledhjen e numrave” të nevojshëm për krijimin e qeverisë dhe në rast se përgjigja do të ishte pozitive cili do të ishte qëndrimi i VMRO-së. Me një fjalë a mund të mendohet që VMRO-ja të pranojë të mbetet jashtë pushtetit.
Secili njeri që ka përcjellë zhvillimet politike në Maqedoni e di fare mirë se VMRO-ja është forca politike që përfaqëson ideologjinë e vjetër, politikën urrejtjes ndërnacionale dhe të ekskluzivitetit etnik. Si mishërim i të vjetrës, ajo bën përpjekjet maksimale për të mbijetuar, aq më tepër kur përfaqëson forcën politike më të madhe në Maqedoni. Kalimi nga kjo gjendje në një gjendje të re që do të ishte në përputhje më frymën demokratike të institucioneve euro-atlantike mund të jetë vetëm si rezultat i luftës që duhet të zhvillohet në mes pikëpamjeve të reja me ato të vjetrat. Përgjigjen nëse VMRO-ja do të pranonte një rirreshtim eventual të forcave politike për të qeverisur me vendin në përputhje me prioritetet që shtrohen për Maqedoninë e gjejmë në thënien e Hegelit. Kur flet për ndryshimet rrënjësore në shoqëri ky filozof gjerman thekson se kalimi nga e vjetra në diçka të re mund të bëhet në dy forma: në mënyrë paqësore, kur e vjetra është e vetëdijshme se duhet të vdesë pa kundërshtuar, dhe në mënyrë të dhunshme, kur e vjetra nuk pranon të vdes pa kundërshtuar… Kjo thënie e Hegelit i jep mundësi secilit lexues të mendojë nëse VMRO-ja e Nikolla Gruevskit është e gatshme “të vdesë” pa kundërshtuar dhe t’ua lëshojë vendin qasjeve të reja. Unë kam bindjen e fortë se VMRO-ja, si forcë kriminale që shndërroi edhe shtetin në shtet kriminal, do të bëjë të gjitha përpjekjet përmes strukturave që i kontrollon për të mbetur në lojë. Për këtë arsye, edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesat e partive politike shqiptare të shtruara në deklaratën e përbashkët dhe krijojnë mazhorancën parlamentare, nuk besoj se gjërat do të zhvillohen aq lehtë. Nuk e përjashtoj mundësinë që Presidenti i Maqedonisë, i cili nuk është asgjë tjetër pos marionetë e Nikolla Gruevskit, të krijojë kushtet për shpërndarjen e parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Për këtë arsye shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Krahas unitetit të nevojshëm vigjilenca është e domosdoshme sepse të gjithë ata që kanë interes që partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni të bëhen copa në mes veti nxisin mosbesimin dhe përçarjen mes tyre. Fatkeqësisht disa funksionarë të strukturave udhëheqëse të partive nënshkruese të marrëveshjes së 7 janarit 2017 lëshojnë akuza të rënda kundër njëri-tjetrit. Veprimet e tilla janë shumë të dëmshme, sepse pasojat e përçarjes do t’i ndjejmë të gjithë mbi kurrizin tonë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com