Yndyrna të larta në gjak? Nëse po bëni këtë gabim, rrezikoni zmadhimin e mëlçisë dhe arrestin kardiak

Shëndetësi

Kequshqyerja listohet e para, kur bëhet fjalë për yndyrnat e larta në gjak. Faktorë të tjerë me impakt mund të renditen edhe konsumimi i tepruar i pijeve alkoolike, mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, sëmundja e veshkave, marrja e ekzagjeruar e medikamenteve dhe diabeti. Albana Daka, nutricioniste dhe mjeke laboratori, e shikon zgjidhjen te regjimi ushqimor dhe jo te medikamentet për të mbajtur nën kontroll vlerat e yndyrnave në gjak.

“Trigliceridet quhen të larta, kur nga matja e tyre në gjak esëll në mëngjes pa ngrënë dhe me një darkë të lehtë një natë më parë, vlerat janë më të larta se 200mg/. Ato mund të ulen nga marrja e kombinuar e acideve yndyrore esenciale të polisaturuar (pangopura) tipi omega 3 dhe fibrave ushqimore, komponentë shumë të rëndësishëm në regjimin ushqimorë të personave që vuajnë nga nivelet e larta të triglicerideve në gjak”.

Regjimi ushqimor

Sipas nutricionistes, regjimi ushqimor te personat me trigliceride të larta fokusohet në ushqime që kanë për qëllim të ulin nivelin e tyre. Kësisoj rekomandohen vakte ushqimore të vogla dhe të shpeshta, minimalisht pesë (mëngjesparadite-drekë-pasditedarkë), si edhe ulje të konsumit të karbohidrateve (sheqernave), sidomos ato të përpunuara (ëmbëlsira, lëngje frutash, apo pije me gaz të ambalazhuar).

“Nevojitet po ashtu kombinim i një regjimi ushqimor të rregullt me një aktivitet fizik ditor, minimalisht 30 minuta ecje e lirë, si edhe marrja për një periudhë 3-4 mujore e omega 3 në formë kapsule 1-2,5 gr/ditë gjithmonë me këshillimin e mjekut të familjes”.

Pasojat

Niveli i lartë i triglicerideve në gjak, thekson mjekja, rrit riskun për sëmundje ishemike të zemrës, pasi të gjitha dislipidemitë (yndyrat e larta në gjak) favorizojnë prodhimin e pllakave aterosklerotike në muret e enëve të gjakut, sidomos në ato që furnizojnë zemrën më gjak. Risku i dislipidemive është rezultat edhe i faktorëve gjenetikë, metabolikë, regjimit ushqimor dhe aktivitetit fizik.

Kolesterol i lartë

Pas një “check-up”-i rutinë laboratorik, ku na rezultojnë nivele të larta të kolesterolit në gjak, këshilla e mjekut të familjes, apo nutricionistit që iu këshillon, është rregullimi i regjimit ushqimor për kthimin e kolesterolit në nivele normale në gjak. Doktoreshë Albana Daka thotë se vlerat e kolesterolit në gjak, nuk influencohen vetëm nga yndyrat e marra me ushqime apo konsumi i ushqimeve hiperkalorike. Një pjesë e konsiderueshme e kolesterolit në gjak vjen nga prodhimi i tij në mëlçi.

“Regjimi ushqimor i përditshëm kontribuon rreth 10-20% në vlerat e kolesterolit total në gjak. Pikërisht, menaxhimi i një regjimi ushqimor korrekt çon në kthimin e kolesterolit në vlerat normale të tij në gjak.

Hapi i parë kur shohim nivele të larta të kolesterolit në gjak është rregullimi i një regjimi ushqimor në kalori, yndyra të ulëta, sheqerna të papërpunuara, fibra në formë të perimeve dhe frutave, dhe një aktivitet fizik të moderuar”.

Në rast se pas këtij ndryshimi të stilit të jetës (regjim ushqimor dhe aktivitet fizik ), minimalisht 3 muaj, kolesteroli nuk kalon në nivele normale, atëherë ndërhyhet me probiotikë fillimisht dhe më pas me medikamente për uljen e kolesterolit në gjak në vlera normale.

Por edhe gjatë terapisë me medikamente për uljen e nivelit të kolesterolit, regjimi ushqimor duhet të jetë korrekt në kalori, yndyrna, sheqerna dhe fibra. Ndarja në kolesterol i mirë (HDL) dhe kolesterol i keq (LDL), për të cilën dëgjojmë shpesh të flitet, është një përcaktim që vjen prej ndikimit që ato kanë.

Doktoresha sqaron se LDL quhet kolesteroli i keq, për shkak të ndikimit të tij aterogjen-formimit të pllakave yndyrore në brendësi të enëve të gjakut. Por efekti negativ i LDL-kolesterolit balancohet nga efekti pozitiv i HDL-kolesterolit, i cili pastron dhe parandalon formimin e pllakave yndyrore në brendësi të enëve të gjakut.

Këshillë

Personat duhanpirës duhet të minimizojnë ose të eliminojnë pirjen e duhanit, pasi kontribuon në rritjen e nivelit të HDL-kolesterolit.