Luana Vjollca rrëfen gjithçka që nuk dinim për të: ‘Nga privimi i qejfeve të moshës e deri te..

Showbiz

Luana Vjollca festoi dje ditëlindjen e saj të 27-të dhe i surprizoi të gjithë duke publikuar disa foto ku shfaqet si një mbretëreshë e vërtetë me një fustan me fruda në ngjyrë të verdhë dhe me një kurorë ari në kokë.

Mirëpo nuk është mjaftuar vetëm me kaq, pasi Luana i ka surprizuar fansat edhe me një rrëfim ndryshe për revistën “Star Magazine” ku ka treguar shumë momente nga jeta e saj private dhe karriera si moderatore e këngëtare, shkruan Iconstyle.

Në këtë intervistë Luana rrëfen ndër të tjera se si puna në ekran i rrëmbeu “qejfet e moshës”, dhe jeta e saj ishte vetëm punë-shtëpi.

“Në fakt privimi ka nisur që kur isha në shkollë dhe fillova punën në ‘Top Channel’, po flas para 12 vitesh.

Më duhej të ndiqja të dyja paralelisht dhe duhet t’i bëja të dyja shumë mirë, ndaj koha dhe dëshira për të bërë ‘qejfet e moshës’ si shumë bashkëmoshataret e mia u zbehën dhe dalëngadalë u zhdukën.

Fillova të kem një jetë, punë-shtëpi që gjithmonë e më shumë ishte e motivuar nga lodhja dhe ngarkesa që kisha marrë përsipër dhe e diktuar nga dëshira ime për t’ia dalë mbanë sa më mirë.

Me aq shumë angazhime as koha nuk më premtonte për asgjë tjetër.

Sot gëzoj një rreth shumë të ngushtë miqsh dhe bashkëpunëtorësh dhe jam tejet e kënaqur me këtë zgjedhje që më mundëson një jetesë të pastër dhe me shumë mbështetje dhe energji pozitive.”, tregon moderatorja.

Mirëpo ndërkohë që ka kaluar një verë të mbushur me koncerte të shumta dhe ka filluar edhe përgatitjet për projektin gjigand që do të transmetohet së shpejti në ekranin e “Top Channel”, kurioziteti i të gjithëve është se ku e gjen ajo forcën dhe frymëzimin për të punuar fort dhe për të ecur përpara.

Luana tregon në këtë intervistë se motivimi i saj janë fansa, babi i saj i ndjerë dhe padyshim nëna e saj.

“Përveç fansave të mi që i përmendëm si më sipër dhe që janë një forcë motivuese dhe e rëndësishme për mua, pa diskutim forca ime për të ecur përpara dhe për të ‘pushtuar’ të gjithë ëndrrat e mia, është familja ime.

Unë jam rritur në një familje ku mbizotëronte dashuria dhe pas çdo gabimi të vogël që mund të bëja, merrja shumë kurajo prej tyre që ta provoja prapë se mund t’ia dilja dhe mund të arrija atë që doja.

Ne jemi një familje e madhe, me shumë femra, jemi 4 motra dhe mami na ka rritur vetëm, pasi babai im ndërroi jetë kur unë isha ende bebe.

Gjate gjithë jetës time kam parë si mamaja ime me këmbëngulje, vullnet e besim arrinte të kapërcente vështirësitë dhe me këtë jam ushqyer dhe mbrujtur.

E kam përmendur shpesh forcën dhe shembullin që mamaja ime ka thënë për mua, por e përsëris me plot gojë se është e vërteta ime më e shenjtë.

Kjo më bën që të mos ndalem drejt arritjeve të secilit prej synimeve që i vendos vetes.”, rrëfen Luana.