Manifestimi për nder të Natës së Beraetit

TE NDRYSHME

Bashkësia Fetare Islame, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i BFI H. Irsal ef. Jakupi, për nder të Natës së Beraetit organizoi manifestim qendror në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, në bashkëpunim me Atasheun për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë, z. Murat Allkan. Pjesëmarrës në këtë manifestim ishin Prof. Dr. Fatih Koxha dhe hafiz Jashar Çuhadar, si dhe shumë besimtarë dhe figura të shquara të jetës fetare në vend.

Nga të pranishmit në xhaminë Mustafa Pasha u theksua e kjo natë e madhe njihet me emra të ndryshëm në mesin e popullatës Muslimane: Nata e Beraet, Nata e Begatë, Nata e Pafajësisë, sepse nëse vlerësohet si dihet është një mundësi e dhënë nga Allahu për të dalë i pastër nga gjynahet dhe gabimet. Kjo natë quhet edhe “Sak”, dekret shpëtimi. Gjithashtu mban emrin Nata e Mëshirës meqë njerëzit përfitojnë nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh.sh.).

Një hadith i profetit Muhamed (a.s.) rreth vlerës dhe begatisë së kësaj natë thotë: “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe na bën zë kështu: “A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta fal; a s’ka ndonjë që kërkon pjesë, t’i jap; a s’ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?”, dhe vazhdon kështu deri në mëngjes” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191).

Një tjetër rëndësi që i jepet kësaj nate është mendimi i disa dijetarëve, të cilët pranojnë se ndërrimi i kibles nga Mesxhidi Aksa drejt Qabes, ka ndodhur vitin e dytë të hixhretit, pikërisht në këtë natë të bekuar.

Për sa i përket veçorive të kësaj nate, atë e dallojnë pesë të tilla nga netët e rëndomta. Nga burimet Islame, mësojmë se Nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori: Ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme. Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën, kanë vlera shumë të mëdha. Është një natë e mbushur plot me mirësi hyjnore dhe me begati. Është nata e faljes dhe në këtë natë i është dhënë e drejta e plotë Resulullahut për të bërë shefaat (ndërmjetësim për falje) për myslimanët. Profeti (a.s.) në natën e 13-të të muajit Shaban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta; në natën e 15-të (Nata e Beraetit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për ymetin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur (Tefsiri er-Razi dhe Ebu Suud, H. Basri Çantaj).

Leave a Reply