Ja pse këtë vit pushimet tuaja do kushtojnë më pak

E fundit

Ndonëse me vonesë, i nxehti ka nisur dhe sezoni i verës është në prag. Shumëkush ka filluar të mendojë për pushimet, që kulmojnë në korrik e gusht, dhe të bëjë prenotimet, brenda apo jashtë vendit.
Për të gjithë ata që kanë vendosur të pushojnë jashtë, ka një lajm të mirë. Pushimet këtë vit janë më të lirat që nga viti 2009, kur euro këmbehej më pak sesa sot. Si rrjedhojë, zhvlerësimi i euros i favorizon të gjithë shqiptarët që duan të pushojnë jashtë vendit në Europë. Nëse një vit më parë, kursi mesatar i këmbimit ishte 138.5 lekë për një euro, tashmë ai ka zbritur në 134.5-135 lekë, apo rreth 3-4% më lirë. P.sh., për një paketë çift që llogaritet të kushtojë rreth 1500 euro, këtë vit duhen rreth 202 mijë lekë, ndërsa një vit më parë duheshin rreth 208 mijë lekë, pra rreth 6 mijë lekë më shumë. Për një paketë 2000 euro, kursimi është rreth 7 mijë lekë. Ndërsa një familje që harxhon rreth 3000 euro do të kursejë 10 mijë lekë në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë katër muajve të verës së kaluar, qershor, korrik, gusht dhe shtator, kanë dalë në total nga vendi rreth 1.9 milionë shtetas shqiptarë, ku numri më i lartë ishte në gusht me rreth 630 mijë persona.

Në total për gjithë vitin 2016 daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 4.8 milionë, sipas INSTAT. Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të bankës së Shqipërisë, shqiptarët shpenzuan jashtë vendit 1.1 miliardë euro gjatë vitit 2016. Nëse do të vazhdojë i njëjti ritëm shpenzimesh, në total, kursimet nga zhvlerësimi i euros llogariten në rreth 20 milionë euro për 2017-n (një kurs mesatar 135-136 lekë këtë vit, kundrejt një kursi prej 137-138.5 lekë vitin e kaluar).

Në të kundërt, për të huajt që vijnë në Shqipëri dhe që janë rritur ndjeshëm në numër muajt e fundit, kursi nuk është aq i favorshëm. Me të njëjtën sasi eurosh, ata do të mund të këmbejnë më pak para se më parë. Për shembull për 500 euro, ata do të marrin rreth 67 mijë lekë, apo rreth 2000 lekë më pak se një vit më parë. Nuk është i favorshëm kursi as për hotelet, të cilat i shesin dhomat me euro dhe do të arkëtojnë më pak se një vit më parë për të njëjtin çmim dhome.

Gjatë vitit të kaluar, Shqipërinë e vizituan rreth 4.7 milionë të huaj, dhe shpenzimet e tyre arritën në një nivel rekord prej 1.5 miliardë eurosh. Edhe gjatë tremujorit të parë të vitit numri i të huajve u rrit me rreth 12%.

Pasi ishte normalizuar për disa vjet radhazi në nivelin e rreth 139.5-140 lekëve, euro ka filluar një rënie të ndjeshme që nga muajt e fundit të vitit të kaluar, duke u këmbyer në muajt e parë të 2017-s mes 135-136 lekëve. Krahas euros së dobët në tregjet ndërkombëtare, zhvlerësimi i monedhës së përbashkët i atribuohet dhe ofertës së lartë për valutë në tregun e brendshëm.

Ndërsa dollari luhatet mes 123-126 lekë, pothuajse në të njëjtat nivele si në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Leave a Reply