Kadare – ky racist etnocentrik!

NGA HALIL MATOSHI/

Miti (komunist) i Ismail Kadaresë nuk i vyen gjë askujt dhe më së paku kosovarëve, të cilët duke ikur nga liria që nuk ia zbërthejnë dot dimensionet dhe realitetin konfuz, kapen për mitesh, si një i mbytur për fije kashte, duke u dhënë miteve dimensione të përmasave fetare. Kjo ndodh për ta fshehur injorancën totale që ka përfshirë një pjesë të madhe të popullsisë, dështimin total të shkollës së tyre. Kjo tashmë është një fakt i pamohueshëm, pas konfirmimit nga PISA se shumica e nxënësve kosovarë kurrë nuk ia dinë kuptimin asaj që lexojnë, nuk dinë të përgjigjen dhe as të bëjnë pyetje të duhura!.

Së fundi shkrimtari Ismail Kadare erdhi në Kosovë si mysafir i politikës dhe politikanëve fodullë e të pa kurrfarë dijeje letrare, pa dije e vetëdije historike dhe politike, si dhe shkrimtarë mediokër.

Ai erdhi për të mbledhur edhe ca famë për veten e për të vënë hije të zeza mbi të gjithë të tjerët, jo për ndonjë debat kulture ose për t’ia bërë ndonjë hair Kosovës, por thjesht për ta sforcuar një klasë injorantësh në pushtet, që është edhe beteja siperane e tij përgjatë tërë jetës.

Ismail Kadare, ndonëse stilist i madh, është shndërruar në mit nga elitat komuniste shqiptare në Shqipëri dhe po ashtu në Kosovë, pra gjithandej ku flitet gjuha shqipe.

Një mit që e ndjekin mijëra njerëz, edhe nga ata që kurrë nuk e kanë lexuar as kuptuar asnjë rresht të shkruar nga ai.

Aq sa zmadhohet miti i tij, aq zmadhohet edhe qasja jokritike ndaj veprës së tij, ashiqare po rritet edhe shkalla e mosleximit të prozës së tij.

Porse shqetësues është fakti se Kadare lexohet në mënyrën më jokritike, pikërisht në Kosovë.

Romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është padyshim kryevepra që ka shkaktuar këtë keqkuptim kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në raportet e shqiptarëve me të tjerët.

Është ky roman që ka kaluar kryesisht i pakuptuar kurrë nga turmat, por edhe nga kritikë e lexues të formuar…

Pra edhe “Gjenerali…” tashmë vepron si mit, ndonëse një lexim i strukturuar kritik e nxjerr si romanin më antiperëndimor dhe si lament për izolimin e shqiptarëve dhe raporteve ksenofobe te tyre ndaj të tjerëve, të mbjellë natyrisht nga komunizmi stalinist!

Në vazhdim do të bëjmë një lexim kritik, do të hedhim pak dritë mbi imazhin e tjetrit në letërsinë shqipe – tjetri qe vjen e rri/miku – (sipas traditës kanunore, sh’pia asht e Zotit dhe mikut) – apo i huaji që vjen si shkelës (armiku.), pra do të hedhet më shumë dritë mbi diskurset letrare për mikun/armikun.

Njeriu lodhet ta kuptojë cilësinë retorike të pyetjes, vërtet cili është armiku im?

A thua fabrikimi i armikut kujdestar, qe rëndom e shohim tek tjetri/tjetra (e kaluemja si ankth e frikë ose e reja si ide, e panjohura) është derivat i frikës dhe paranojës se jemi te rrethuar nga armiqtë, se po na ndjekë dikush, apo thjesht është monopolizim i gjuhës nga ana e pushtetit, për ta siguruar lojalitetin e qytetarëve ndaj tij (pushtetit pra), ai flet vazhdimisht për një armik fiktiv (kombëtar, shtetëror, ideologjik, fetar, klasor, partiak…) por të konkretizuar sipas cilësorit tjetri/të tjerët.

Mirëpo, diskursi letrar për tjetrin, në letërsinë shqipe, edhe tek Ismail Kadare në prozë dhe tek disa autorë mediokër të poezisë në Kosovë, merr karakteristikat e diskursit të urrejtjes, përkatësisht diskursit racist, që Robert Miles e quan “racizëm etnocentrik.”

Në raportet e letërsisë shqipe me letërsinë botërore, padyshim se në gjykimin e tjetrit, përkatësisht në paragjykimin e tjetrit, merr pjesë autori Ismail Kadare me disa nga romanet e tij, si “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” etj, porse me këtë hov do t’i qasemi vetëm “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” – shkrim ky letrar që e bëri të njohur autorin – porse duke paragjykuar tjetrin që ka mësymje armiqësore kundrejt shqiptarëve.

Në anën tjetër, autorë më në zë apo jo, ngrenë edhe teori konspiracioni, duke i rënë telit se Kadare me romanin “Gjenerali…’ jo që ra ndesh me vijën e partisë, porse ai e shpinte edhe më tej neverinë e shqiptarëve ndaj Perëndimit, duke vënë në mendësinë perëndimore të dëshirueshmen e regjimit, pra në sensin që Perëndimi të shfaqej sa më antishqiptar për ta kthyer këtë mendësi në zemëratë, në nxitje të një nacionalizmi me prirje të majtë që në thelb ishte izolacionizëm.

romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i dha famën botërore Ismail Kadaresë për faktin qenësor se ai me stilin dhe gjuhën letrare antiluftë, përafrohej me letërsinë perëndimore, porse ana tjetër, ajo e errëta asnjëherë nuk është pikasur nga kritika botërore. Ashiqare që Shqipëria komuniste kishte nevojë për një zë që e mbronte fort para të huajve, duke e shpërfaq realitetin, ashtu siç shoqëria shqiptare e kohës “e shihte” veten përballë armiqve – pra ashtu siç e përfytyron veten – dhe sipas njatij ligjërimi artikulohet bota – e që nuk përkonte kryekëput me shtetin policor – “shtetin policor in se (në vetvete)” (Pipa: 1999, 62) porse në diskrecion identifikohej me Enver Hoxhën, kinse si mbrojtës i sovranitetit të popullit!?

Së këndejmi, Kadaresë i ishte pikë të krijonte figurën e tjetrit armik – duke i paraqitur shqiptarët dhe italianët, jo siç janë në të vërtet, porse siç kishte dëshirë pushteti stalinist shqiptar të ishte – pra ashtu siç perëndimoret (sidomos (fqinjët!?) “duhej” ta shihnin shqiptarin – që refuzimi shqiptar ndaj vlerave perëndimore të ishte edhe më i madh, që hendeku mes “dy botësh” të ishte i pakapërcyeshëm!?

“Gjenerali…” mund të lexohet edhe ndryshe: ai në aspektin historik dhe politik mëton ta ngrehë ideologjinë e re izolacioniste – tërheqjen e shqiptarit në vete dhe për vete, që s’ia ka besën dhe as shpresën askujt. Duke e përligj vetmimin si diçka që shqiptarët vetë e zgjodhën!

Dhe kjo d.m.th. ai soj njerëzor aq i varfër e që i bën ballë bllokadës, lavdia e tyre del të jetë epike, madhështore me termat e Partisë!?.

Në këtë lexim ndryshe – të çliruar nga ideologjia neokomuniste e interpretimit – përafrohemi me tezën se Kadare në letërsi e ka përligjur ideologjinë e izolacionizmit të Enver Hoxhës, sipas doktrinës së realsocializmit, kur ata aq të varfër që i bëjnë ballë bllokadës së gjigantëve, lavdia e tyre del të jetë epike, madhështore me termat e Partisë!?.

Dhe pas revoltës së italianëve, (sipas narratives së I.K.) specialisti vendor e përligj këtë parullë me sfond të qartë ideologjik, që autori e quan frazë, duke e relativizuar dhe që është i sigurt se do ta ketë shkruar ndonjë nxënës, gjë që pavetëdijshëm dëshmon për indoktrinimin e thellë të shkollës shqiptare me diskursin e Tjetrit si armik.

Kjo qasje ilustrohet me fjalët që Kadare i vë në gojën e një gjenerali Italian, i cili po i fliste gjeneralit që kishte marrë misionin për të ardhur në Shqipëri për zhvarrimin e trupave të ushtarëve italianë, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Regjimi stalinist ashiqare që nuk donte thjesht që romani të nxiste urrejtjen e shqiptarëve ndaj italianëve, që shiheshin edhe nga letërsia nën figurën e armikut, por mësyhej të nxitej urrejtja e perëndimorëve kundrejt shqiptarëve, që përbuzja e shqiptarit të rëndomtë të rritej e më këtë edhe shtypja mbi ta të ishte më e lehtë!?.

Pra, autori Kadare, fshatarëve plot mirësjellje dhe devotshmëri fetare – mëshirë ndaj të vdekurve të huaj – ua rrëfen “një të vërtetë tjetër”, atë të kundrimit të palës tjetër si urrejtës:

Madje autori vë në gojën e tjetrit, për ta satanizuar atë edhe pandehma sikur ajo se kinse shqiptarët u vënë pushkën në djep të sapolindurve, në vend të rrushit me rruaza të mësyshit.

Mirëpo Kadare, me disa pasazhe edhe i frynë fort nacionalizmit të majtë shqiptar, kur ata nga prizmi i një të huaji i shpall “popull luftëdashës” gjë që kurrë në histori shqiptarët nuk e kanë provuar…

Po ashtu, Kadare – nga këndvështrimi i një të huaji – mësynë që ta shpallë si karakteristikë qenësore të shqiptarëve intencën ose shtysën e vdekjes!

Ai “vëzhgimeve vetjake etnopsikologjike dhe antropologjike” u jep “ngjyrime” perëndimore – rëndom këto ‘teori’ që në thelb janë stereotipa të sllavëve të jugut për shqiptarët dhe Kadare kur “u jep gjallëri” këtyre fjalëve të duket sikur ai po i citon Garašanin-in, Cvijić-in ose Andrić-in, e jo një prift dhe një gjeneral italian.

Ai në romanin e tij i shqipton “të dhënat” e tij për shqiptarët, që e nisin një luftë për me hy në një këngë fshati…

Zakonisht “tjetri” në shtresat më të hershme të kulturës shqiptare është një “i ndryshëm nga vetja”.

Nëse është dalluar “tjetri”, kjo ka qenë më shumë një nevojë vetidentifikimi.

Rezulton se një prej bagazheve më të rënda të Ballkanit është barazimi i “tjetrit” me kundërshtarin.

Kjo sindromë diku-diku ka marrë formën e etnofobisë.

Mosdurimi ndaj “tjetrit”, pavarësisht prej burimit, për shkak të ndryshimit etnik, fetar apo kulturor, ka krijuar probleme delikate në të shkuarën dhe sot. Ka qenë një prej dëshmive të frymës së hapur të kulturës shqiptare distanca e saj ndaj angatonizmit dhe frymës së konfliktit. Pra ka prodhuar ksenofobinë, që kultura tradicionale shqiptare nuk e njihte. Atë e riktheu etnonacionalizmi. Kurse stereotipat e tjetrit për shqiptarët janë cilësorë racistë e hegjemonistë, superioriteti i racës, pra i racës se purifikuar (kombi kulturor) që prodhoi nazifashizmin.

Edhe pse konceptet tona lokale mik-armik sot më shumë se kurrë i shkojnë përshtat njëri-tjetrit. Të jesh shqiptar etnik dhe patriot duhesh ta kesh një serb armik dhe anasjelltas, të jesh serb i madh, patjetër u dashka ta kesh vrarë, ose së paku rrahur një shqiptar etnik!?

Dhe kjo ndodh edhe në institucionin e quajtur letërsi, ngjashëm si në realitetet e përfytyruara të akëcilës shoqëri. Në fakt, mënyra me të cilën i drejtohemi tjetrit është pa dyshim një moment socioemocional dhe kulturor. Ajo lidhet me formimin e individit dhe shoqërisë përkatëse e tregon një relacion të caktuar të zhvillimit social-politik dhe kulturor të individit në raport me shoqërinë. Ky relacion në historinë e shoqërisë kosovare ka ndryshuar sipas etapave të caktuara historike dhe kulturave, të cilat dihet botërisht që këtu janë përzier në mënyrën më mikse të mundshme. Kjo duhet të jetë një nga shkaqet që individi psiko-social kosovar gjendet konfuz herë pas here.

Gjykoj se në shumësinë e raporteve midis njerëzve, një përqindje e caktuar dhe domethënëse është raport interesash.

Kjo bën që duke e afruar tjetrin më shumë se çka është dhe meriton, ne padashur ndërtojmë marrëdhënie iracionale, të cilat në një moment të caktuar përfundojnë deri në acarim. Siç ndodhi pas bashkim-vëllazërimit me bazë ideologjinë komuniste.

“Nacionalizmi – para së gjithash është paranojë. Paranojë kolektive dhe individuale.” (Shih: Kiš, (1995,30.)

Nacionalizmi si i tillë, në epokën e televizionit dhe internetit është shndërruar në spektakël masiv, që u shkon përshtat populistëve si dëshmi e mungesave të tyre të dukshme arsimore dhe emancipuese, pra pafuqisë së turmave.

Turma nga spektakli ekzaltohet dhe lehtë – përmes transit – hyn edhe në ekzekutimin e një linçi publik…

67 Comments on “Kadare – ky racist etnocentrik!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.